Për vitin 2019, 95,52 % e krimeve janë kryer nga meshkuj (nga të cilët 1% janë të mitur) dhe 4,48 % janë femra (ndër të cilat nuk rezultojnë të mitura).
Nga Marsi Simo (Sociologe)
Flitet se ende ekziston preferenca gjinore në disa vende, ku prej mentalitetit, prindërit kanë më shumë dëshirë të bëhen me djalë. Por përveç kësaj, vijon një tjetër fenomen siç është ai i edukimit të diferencuar, ku nga dëshira për të rritur djem të fortë, i kthejnë ata në arrogantë deri edhe në shkelës ligji.
Me shumë mundësi prindërit mendojnë se duke i lënë në pavarësi djemtë, do të bëhen më të forte dhe të zotë. Kjo është mëse e gabuar. A mund të jetë zotësi të hidhesh nga kangjellat e shkollës për të tymosur marjuanë cepave të pallatit?!
Sigurisht ka dhe vajza me sjellje devijante, por kurrë nuk krahasohet me numrin e djemve. Krimet e kryera nga meshkujt kryesisht janë për armë mbajtje pa leje, krim i organizuar, vjedhje, rrëmbime, përdhunime, pedofili, shfrytëzim posti etj. Sipas të dhënave nga raporti i prokurorit të përgjithshëm mbi gjendjen e kriminalitetit në lidhje me gjininë e të pandehurve, në vitin 2019, në lidhje me gjininë e të pandehurve vihet re se 95,52 % e tyre janë meshkuj (nga të cilët 1% janë të mitur) dhe 4,48 % janë femra (ndër të cilat nuk rezultojnë të mitura). Burgjet e grave shihet janë me një numër shumë herë më të ulët se burrat përmbajnë histori dhimbje, vrasje pas vitesh abuzimi nën erën e alkoolit të burrit pijanec.
Mësuesit tundin kokën në shenjë dorëzimi duke konfirmuar që brezat po bëhen më të vështirë. Djemtë që kanë një mesatare të lartë në mësime sa vjen e ulet. Jo pak herë nxënësit djem që mësojnë etiketohen si budallenj, peshkop dhe djem mamaje. Kjo tendencë dikur shihej më shpesh në shkolla të mesme tashme ka nisur edhe në 9- vjeçare.
Duket e frikshme po të kalosh pranë një grupi djemsh sepse fjalori do jetë më i zi se llumi dhe më therës se tehu i shpatës. Shtyjnë njeri tjetrin me lojra dhune duke mbrojtur të vetmin nder, "motren" e tyre. Ata mund të jenë 18 vjeç por edhe 10 apo më të vegjël.
Djemtë nuk po gëzojnë më fëmijërinë dhe po humbasin rrugën. Prindërit nga ana tjetër po humbin rolin e tyre dhe modelin për edukim.
Prindër të dashur thërrisni djemtë tuaj dhe kërkojini llogari sot se nesër të kthejnë shpinën. Krijojini djemve modele të shëndetshme duke i adresuar në dije. Zhdukeni mendësinë dhe legjendat injorante se djali lahet me një pikë ujë e vajzën e lan veç deti.
Të nderuar prindër, ashtu siç i mësoni vajzat të jenë të edukuara dhe të sjellshme mesoni dhe djemtë, se kultura nuk të shëmton.
Po tjetërsohet shoqëria dhe po bëhet e frikshme jetesa duke përfytyruar që ata djem që po i lexojmë në titra lajmesh, do bëhen nesër baballarë të të tjerë djemve.
コメント