top of page
Search

Çmitizimet e të ndjerit Xhemo Taka - rrëfenjë / Pajtim Çaushi

Ndjesë pastë!... Xhemo Taka qe komshiu im matanë Përroit të Pirros në Konispol.

Hokatar, i fjalës dhe i cfurkut, i kafes dhe i çibukut.

Zërin e kishte te fortë e të ngjirur, ndonëse trupin të paktë, por të thantë.

Pikërisht tek zëri do qëndroj se me të bënte interpretimet për dukjet e Tokës, Ujit e Kozmosit.

Ndodhte shpesh që Toka të dridhej pakëz si nga një rrufë e thjeshtë. Atëherë Xhemo Taka dilte tek dera e kasolles anës Përroit dhe thoshte:

- Ej, e ndiet si e drodhi?... Hëm, vetëm qimen tundi Kau i Zi në fund te detit. Na thotë t'i lëmë zullumet se e teprojmë. Mos e teproni , o njerëz se na sollët kiametin!

Përroi i Pirros

Në raste të rralla kur Toka tundej e shkundej si nga epilepsia, shumë shtëpi rrëzoheshin. (mos qoftë thënë, se tek ne në tërmetin e 26 nëntorit!) Xhemua vraponte tek balthukat e pllajës së Përroit dhe thirrte me të madhe:

- Ej, dëgjoni mirë, e tundi bishtin Kau i Zi! Na thotë se s'është faji i tij që do permbysemi!... Është babëzia për zullume e para që ka mbytur disa, ata do sjellin hata... Vini fre lakmisë o njerëz të paktë se po merrni në qafë gjithë Njerëzit e ngratë!


Ndodhte që rrokopuja e mjedisit të ishte e skajshme. Kjo kur zemëroheshin njëherësh Kozmosi, Toka e Uji. (Qoftë e thënë, si sot Globi nga Koronavirusi!)

Nga lart vetëtima e ulërima rrufeshë, rrethrrotulla suferina e fyshkëllima, nga deti dallgët si male e greminat si humnera.


Xhemo Taka këmbadoras ngjitej tek Shkëmbi i Barutit mbi Përruan e Pirros dhe ulërinte me aq sa i mbanin mushkëritë:

- Ç'na bëni o te pafryrë, o zullumqarë, o të pafe, o të pa nder! ... Ç'patët me Tokën more?... Ç'deshët tjetër nga deti?... Pse e flliqët qiellin?... Kau i zi do shkund gjithë kurmin e ujë të zi do dalë mbi dhé!

Ne dëgjonim dhe habiteshim. Si mundi të ngjitej në këtë kiamet tek Shkëmbi i Barutit?!...

Mbase e nxorri vetë Kiameti, mendonim duke u dridhur nga ethet e frikës. Kaq.

Ndjesë paç o Xhemo Taka!


Pajtim Caushi

Comments


bottom of page