top of page
Search

Ëndrra me syhapur - poezi nga Gladiola Jorbus


Ëndrra me syhapur

Shoh ëndrra me syhapur

sikur vallëzoj me shiun

e flas me erën.

Ndiej yjet,

Tek qëndisin fijëza marrie

e guximi mbi lëkurën time.

Hëna bujare,

me argjend m’i pikturon

ballin e mollëzat.

Por unë mbyll sytë.

Dua të fle.

Veç kështu

Mund të takohem me ty.

 

Sytë

Disa sy janë krijuar, Për të të turbulluar Në shpirt, tinëzisht. Disa sy janë krijuar Për të t’i shndërruar Ëndrrat, në gërmadha. Disa sy janë krijuar Për të të pëshpëritur Qindra fraza, që gjuha s’ i njeh. Dhe mbi sklerat e tyre, Shkruhen të vërtetat e Pathëna të qenies. Disa sy janë krijuar Për të të përkëdhelur Më butësisht, se sa gishtërinjtë. Disa sy janë krijuar Për të ndalur kohën Brenda tyre. E disa sy janë krijuar Përtej çdo drite, Përtej çdo forme, Përtej çdo ngjyre.

 


Ora blu

Një çast pritjeje, një flluskë kohe, ku shpendët fluturojnë me ngurrim, pothuajse duke mbajtur frymën. Tingujt e zogjve të natës heshtin. Shkëndija e parë e agimit i fton të këndojnë këngë të reja. Parfumi i luleve, një kundërmim marramendës. Krijesat e legjendave pluskojnë zbresin nga kapelet e kërpudhave, fshihen ndër petale lulesh. Vishen me prafullima zjarri, ecin nën gurë, vrapojnë midis fijeve të barit. Rroken me tokën e qiellin bëjnë kollotumba në degët e pemëve. Perceptime dehëse. Atmosfera gëlon nën pezhishkën e orës blu...

 









Post oshilacioneve tokësore

E quajmë kafshë. Por një qen mund të vdesë Nga dhembja për humbjen e të zotit të tij. I quajmë njerëz. Por mund të përqafohen shtazërisht. Pa u drithëruar, nën tinguj emocionesh, pa gjerbur një gllënjkë dashuri. I quajmë naivë, të papjekur, fëmijë Por ëndrrat e tyre Botën përndezin Me kuptim e mrekulli. I quajmë klithma rrëqethëse. Por janë zemrat që gjer në qiell ngrihen peshë Nga gënjeshtrat e padrejtësitë. I quajmë burra, Por janë thjesht qenie të zbrazëta Që nuk njohin as fjalë, as besë. I quajmë shenjtorë. Por perëndia çdo ditë brenda tyre; Meket, shuhet e vdes.

(Piqeras, 30 nëntor 2019)

Comments


bottom of page